e martë, 13 janar 2009

Nënë

Nëna ime mos rri përlotur,
mos rri e ngrysur në vetmi...
Lotët e tua më lër t'i thaj,
me frymën e shpirtit tim..
Duart e tua, lëkurë rrjepur,
m'i lër t'i puth, t'i ledhatoj..
Kallot e tua në trup e zemër
m'i lër t'i zbut, të t'i mjekoj..
E shtrenjta ime e përmalluar
Që si një llavë mallin shpërthen
Deshirën e zjarrte ma rrëfen
Që gjithnjë pranë të më kesh.
Por, largësi tejoqeanesh ne na ndau,
Sa shpejt unë ika, mbete ti,
Në një dhomëz, e lodhur e plakur
Atje po digjesh, si një qiri.

Pema e dashurisë

Oh miku im,
a e mban mend pemën
nën të cilën
lutjet e dashurise sonë, përshpëritëm?

Ajo ende rritet..
njëkohësisht, me plakjen tonë,

Ndërsa lutjet,
Oh, lutjet!..

Ato pafajësisht shushurisin në çdo degë....
Dhe nëse era një ditë do t'i fryjë
Apo padashur mbi tokë do bien
me amanetin e dashurisë sonë
rrënjën e filizit të ri
do ushqejnë...

Cigani..

Flladi u merzit;
me fishkellima i drithëroi retë;
u ca qielli,
u çanë dhe retë;
dhe mbeten si qelqe të thyera
në një kabare;
ku frymemarjet anemike
treten në shtellungat e duhanit;
e mbi xhama vulosin
krenarinë e tyre, të martirizuar..

Rryli i ciganit
vazhdon të gulçasë
ethet e tij të fundit,
mbi tytën e një saksofoni;
që, vjetruar nga lashtat
zhgarravisin hartat e pendimit
mbi cipën e tij.

Dhe qielli harbohet nga lutja
që tastat e saksofonit zhulatin në errësirë.
Retë, hedhin valle mbi kryet e tij
ndërsa dielli, fillon të riputhë,
koren e ftohur, të tokës..