e enjte, 27 mars 2014

Etika e bashkëjetesës dhe e qëndresës. Pse Peticioni ngatërrohet me Koalicionin.

Kohët e fundit, një grup historianësh dhe politikanësh, ashtu si dhe disa analistë, po përpiqen t’i japin tone politike dhe fetare peticionit që u nënshkrua kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Në thelb të këtij peticioni nuk ka asnjë kërkesë për t’u ndaluar besimtarëve fenë e tyre dhe as po kërkohet dorëheqja e qeverisë për këtë reformë anti-shqiptare (ndonëse me shumë të drejtë). Ajo çfarë po kërkohet është më e thjeshtë se sa po dramatizohet: të pezullohet puna e komisionit të përbashkët, komision ky i ngritur me kërkesë të autoriteteve Turke. Bukur fort. Le te supozojmë të kundërtën dhe le të mbahemi tek etika që lypset të përdoret për të analizuar arsyet e lindjes së këtij peticioni.
            Një nga këto korrigjime që kërkohet të bëhet është “zbutja” e vrasësit dhe e emrit të tij vrasës. Ishte: “Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka vrarë, ushtruar dhunë dhe ishte e ashpër.” bëhet “Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka sunduar, burgosur dhe ka ushtruar ndërhyrje ushtarake.”. Mora vetëm një nga këto rishikime historie, jo si eksperte e historisë por si një individ që i intereson mbi të gjitha kultura e trashëguar e vendit të tij. Ndryshimi i kësaj shprehjeje është hapi i parë i një ndryshimi themelor: i shprehjes së vëllazërisë së shqiptareve me turqit (e rinj) ndër shekuj. Pra i përket ndryshimit të etikës së terminologjisë dhe kjo jo pa një qëllim.
            Etika e bashkëjetesës dhe etika e qëndresës nuk janë e njëjta gjë dhe ketë çdo historian apo qeveri e di fort mirë. Etika, si koncept, do të thotë një grup parimesh morale (veçanërisht ato që kanë të bëjnë ose janë konfirmuar nga një grup i caktuar) në një fushë ose nga ndonje formë sjellje. Pra me etike bashkëjetese do të kuptohej një grup parimesh morale të caktuar nga dy grupet bashkëjetuese, që pranohen bashkarisht në të njëjtën mënyrë prej të dyve. Ndërsa me etike rezistence do të kuptohej një grup parimesh morale që bien ndesh me dy grupimet përfaqesuese për të cilat bëhet dhe rezistenca.
            A ishin shqiptarët dhe otomanët bashkëjetues apo njëri grupim përfaqësonte qëndresën dhe tjetri pushtuesin? Nëse pjesës së dytë të pyetjes i përgjigjemi me po, atëhere etika e bashkëjetesës nuk merr vlerë për sa kohë që njëri prej grupimeve ka më pak të drejta se grupimi tjetër. Duke marrë parasysh faktin se Perandoria Osmane ka ndenjur në trojet Shqiptare për më shumë se 500 vjet, ku proçesi i shkëmbimit kulturor ishte i detyruar apo i “natyrshëm”, apo ku zhvillimi kulturor ka qënë i pamundur qoftë kjo nga perandoria Osmane apo nga faktorë të tjerë të jashtëm (fqinjë), vendosja e etikës së bashkëjetesës midis këtyre dy popuj do të ishte një kundërshti e pashmangshme, sepse siç ka thënë dhe Plautus “Homo homini lupus” (Njeriu është ujk për njeriun) 1)
           Freudi bëri interpretimin e kësaj shprehjeje të famshme duke u nisur nga një tjetër shprehje, derivative e së parës “Que messieurs les assasins commencent” (Është vrasësi që ndërmer veprimin i pari)  Sipas Freudit, vendet fqinje gjithmonë do të të shohin për interes, sepse elementet e vërtetësisë që fshihen pas kësaj shprehje të famshme, ndikohen dretpërsëdrejti nga tiparet e përgjithshme njerëzore; se njerëzit nuk janë qënie të brishta dhe delikate, apo që vetëmbrohen vetëm në rrast rreziku. Ata gjithashtu janë krijesa në vetvete që ndajnë me të tjerët agresivitetin e tyre. Sipas Freud gjithashtu, fqinjët mund të shihen si një objekt seksual, por ata mbi të gjitha do të shihen me agresivitet, për t’u marrë çka ata posedojnë, për t’i kapur e pushtuar, për t’i torturuar dhe për t’i vrarë e masakruar. 2)
           Thjesht duke u kapur tek natyra e njeriut, tek mënyra se si ai kërkon të përceptojë botën dhe të shohë njeriun para tij, është e pamundur të ekzistojë një formë e plotë bashkëjetese.  Në rastin e perandorisë Osmane, etika e bashkëjetesës me popullin shqiptar është një pamundësi absolute. Pse absolute dhe jo relative? Historianët do të donin ta shihnin si relative sepse vetë historia varet nga mënyra se si argumentohet. Ata bazohen në faktin se brenda këtyre shekujve kanë ndodhur shkëmbime kulturore midis të dyja vendeve. Sigurisht që kjo nuk mund të hidhet poshtë, por këto shkëmbime i takojne artit të kuzhinës dhe fesë, se shkëmbim letrash do të ishte e turpshme ta përmëndmin ketu, pasi ato nuk kanë ekzistuar.
          Derisa “fjala e shkruar” ka qënë e mohuar, pamundësia e bashkjëtesës nuk merr forma relative por absolute dhe i lë vënd etikës së rezistencës më shumë se asaj të bashkëjetesës. Fjala e shkruar ndikon në formimin e një kombi dhe është më e pakta të thuash se ardhja e perandorisë osmane në trojet shqiptare shkaktoi një vrimë të zezë. Pas librave të parë të dokumentuar ne nuk patëm një letërsi të zhvilluar deri në shekullin e XIX, që do të thotë asimilim total në kulturën e vendit tonë. Çfarë i bën të alarmohen qarqet religjioze dhe politikane përmes peticionit të kërkuar nuk është kërkesa e këtij peticioni, por luhatja e besueshmërisë së termit  të “sigurimit”.
         Të lejosh dikënd tjetër të të shkruajë historinë, do të thotë të pranosh që nuk funksionon si shtet. Pra je ende i varur, pas 100 vjet pavarësi, nga një shtet që të ka uzurpuar për një periudhë të gjatë. Sigurisht Turqia e sotme nuk është Perandoria Osmane, por synimi i saj është të ngrejë një taban të fortë për brezat që do të vijnë. Pra, në sigurimin se historia e tyre është një histori e lavdishme dhe se nuk ka shkaktuar dëme aty ku kërkoi të instalohej. Besimtarët fetarë e shohin të arsyeshme sepse çfarë perandoria e dikurshme ka bërë bie ndesh me librat e tyre të besimit, ose të paktën nuk është normale që ata ta pranojnë se kanë përqafuar fenë e tyre me dhunë. Ndryshimi i historisë në favor të Perandorisë së dikurshme Osmane do të ishte një ndihmesë e pakrahasueshme duke fituar një terren “sigurie” për të ardhmen e brezave në vazhdim. Kurse shteti kosovar e sheh si një “domosdoshmëri” për të fituar “sigurinë” e ecurisë së tij. Faktikisht asnjë nga këto pretendime “sigurie” nuk i shkakton siguri as shtetit dhe as besimtarëve.
         Derrida do ta shihte kontradiktën e kësaj çështjeje që ka ngritur ky peticion, si një kontraditë të një të huaji që kërkon të pushtojë tokat e tua, por që në fakt nuk do të ishte prezent gjatë kësaj kohe. Ai thotë se ky i huaj do të shkojë: “deri në pikën e shkatërrimit ose në marrjen e të gjitha shenjave dalluese të një identiteti të mëparshëm duke filluar që nga kufiri që i siguroi një shtëpi, deri në kufirin që u përcaktoi emrat dhe gjuhën” 3) Këto çfarë po shprehim këtu nuk vlejnë vetëm për Turqinë po për të gjitha shtetet fqinje gjithashtu, të cilat nuk i shpëtojnë dot natyrës njerëzore dhe kapërcimit të dëshirave apo pretendimeve të tyre. Duke pranuar këtë fakt, atëherë bie ndesh se peticioni është nisur vetëm nga të krishterët si një “kryqëzatë” apo “koalicion” për të kaluaren e lavdishme të osmanëve në trojet tona. Ky peticion mbetet një nga arritjet e njerëzve të letrave për t’iu bindur ligjit të universializmit intelektual botëror dhe jo koalicioneve partiake, fetare, apo primitive njerëzore. Po e mbyll këtë shkrim me dy vargje nga Gëte:
Wer Wissenchaft und Kunst besitzt, hat auch Religion,
wer jene beide nicht besitzt, der habe Religion 4)

Ai që posedon shkencë dhe art,
Ka dhe fe;
Ai që s' posedon ato të dyja,
Le të ketë fe.
1) Plautus, Asinaria II, iv, 88
2)Freud, Sigmund; Civilization and its discontents, f.94
3) Burke, Edmond; Beyond Security, Ethics and Violence, f 30
4)Goethe, Zahme Xenien IX (Gedichte aus dem Nachlass)

Publikuar tek Gazetaditore 04.08.2014

Nuk ka komente: