e enjte, 27 mars 2014

Vaçja, muzika, zëri dhe teksti

Para disa ditësh ndoqa me interes dhe zhgënjim diskutimet që pasuan funeralin e një prej artisteve më të mëdha, Vaçe Zelës. Them me zhgënjim, sepse prisja shkrime të një niveli tjetër, të një analize më fisnike, më të konsoliduar, pasi nuk është se ndodhemi në momentet që sapo është përmbysur diktatura dhe të hidhej krejt mllefi ndaj një këngëtareje të thjeshtë, siç ishte Vaçja.
Pa dashur të merrem me shkrimet specifike të autorëve respektivë do doja të ndalesha tek ideja që një prej analistëve, Fatos Lubonja, shprehu në shkrimin e tij, sipas të cilit këngët e Vaçes i përkisnin socrealizmit dhe se ato ishin të rrejshme. “[…] ishin pjesë e programit propagandistik trushplarës për të cilin punonte një armatë e tërë poetësh dhe artistësh në Shqipërinë e asaj kohe”,- thotë Z. Lubonja.
Nuk e vë në dyshim besoj askush se këngët e Vaçes ishin pjesë e sistemit. Apo se tekstet e pjesës dërrmuese të repertorit të saj ishin të tilla. Po çfarë e bën të veçantë Vaçen? Pse ajo jeton akoma përmes atyre këngëve që la trashëgim për brezin tonë? Nëse vërtet Vaçja përfaqësonte sistemin, sipas mënyrës që shprehet Lubonja, pse do të kujtoheshin të gjithë për të dhe do ta ndienin si humbje largimin e saj?
Duke iu referuar teorive të muzikës dhe zërit, si një nga elementët kyç për të kryer lidhjen e tekstit me melodinë, do të doja të argumentoja veçantinë e asaj çka ne e quajmë talent tek një artist. Për alegori do të marr rastin e Bodlerit dhe se çfarë kemi të trashëguar prej tij. Tre shekuj më parë ishte Bodler (Baudelaire) ai që bëri një shkrim (ese) mbi muzikën e Wagner “Richard Wagner at Tannhauser a Paris” (1861).
Bodler shkroi esenë e tij, përpara se të ndodhte Romanticizmi Gjerman, ku muzika vlerësohej si një art i zakonshëm, si një art që i nevojitej medoemos teksti duke i dhënë muzikës një rol shumë të ulët krahasuar me të gjitha artet e tjera të kohës. Ishte koha kur Hoffman ngriti idenë kundër zhvlerësimit të muzikës (Befriffslosigkeit) ku përmes argumentit të tij u dhanë sinjalet e këtij zhvlerësimi, se si njerëzit e kishin çuar botëkuptimin për të në një nivel njerëzor e jo në nivelin që ajo ka në të vërtetë.
Bodler kaloi në një tjetër prizëm, duke i dhënë muzikës vendin e një dimensioni në univers. Për të arritur në një konkluzion të tillë, mjaftoi vetëm një natë e vetme që do të ndryshonte krejt mendimin e Bodlerit në vazhdim në lidhje me Muzikën. Ai shkon të dëgjojë Tannhauser-in e Wagner në Paris dhe ekzaltimit të tij nuk mund t’i rezistonte dot derisa arriti të shkruajë këtë ese të famshme.
Në letrën që ai ia çon Wagner thotë: “Në fillim më dukej se e njihja atë muzikë dhe më pas, duke e rimenduar, kuptova çfarë e shkaktonte atë iluzion. Dukej sikur ajo muzikë ishte e imja, dhe e kuptova si një njeri kupton se cilat janë gjërat pas të cilave dashurohet se i ka të “vetat”. Bodler nxjerr idenë se muzika nuk i përket njerëzores, se ajo i përket një dimensioni dhe se është universale. Sipas tij, sërish teksti/poezia, sado që të përpiqet për t’iu shkëputur të zakonshmes, njerëzores, për të kapur universalen në dimensionin që muzika ka, nuk arrin dot ta bëjë këtë.
Mund t’i afrohet sigurisht shumë por nuk e pik asnjëherë. Sërish sipas tij, ndërmjet arteve mund të vendosen lehtësisht pasqyra të cilat kanë veti vibruese tek njëra tjetra. Që do të thotë se muzika përmes vibrimit ndihmon tekstin. Ky është ligji. Por mund të ketë edhe raste kur muzika mund të jetë e dobët (keqkompozuar) dhe në këngët që mbijetojnë prej tyre më së shumti ka ndodhur që teksti t’i ndihmojë për të kapërcyer barrierën e dimensionit të zakonshëm njerëzor.
Por Vaçja në rastin konkret, përmes zërit të saj, bën lidhjen midis melodisë dhe tekstit. Deri këtu jemi të qartë në rolin e saj si këngëtare. Por çfarë ndodh në të vërtetë? Mladen Dolar, tek libri i tij “A voice and nothing more” (Një zë dhe asgjë më shumë) bazuar mbi idetë e Aristotelit, Platonit, Lakanit, Barthesit, Derridas etj., shpjegon se si zëri si objekt, fizikisht humbet që prej momentit që ai lë subjektin/individin/njeriun prej nga i cili del. Zëri i përket ajrit.
Ai thotë: “Zëri buron nga trupi, por nuk është pjesë e tij, dhe mban peshë gjuhët që nuk i përkasin atij, prapë, në këtë topologji paradoksale, kjo është e vetmja pikë që ato ndajnë”. (Faqe 73) Më pas Dolar paraqet skemën e Lacan me dy rrathë (njëri që simbolizon trupin dhe tjetri që simbolizon gjuhën) duke konsideruar se zëri është pikëprerja mes tyre.
Në esenë vazhduese të librit ai thekson se si një pjesë e këtij zëri i shkon logos, pjesës që ajo mbart në memorie. Se si njerëzit janë të rrethuar me zëra të ndryshëm prej nga ai kap përmes vibrimit të logosit të memorizuar të tij ato të cilat i nxjerr nga “pajisja” e brendshme si rezonancë. “Një njeri është shumë i ekspozuar ndaj zërit dhe zëri është shumë i ekspozuar, njëri e përfshin, tjetri e përjashton”. (Faqe 81)
Pra zëri përmes vibrimit të timbrit ekspozon përmes tij ndjenjat, mendimet, shprehjet të cilat i ruan në brendësi të Unit. Përmes këtij ekspozimi ai transmeton në hapësirën përreth substanca të logosit, madje në mënyrë subkoshiente, gjëra të cilat arrihen të lexohen vetëm përmes subkoshiencës së dëgjuesve. Nuk po ndalem për të shpjeguar llojin e tretë të dëgjimit të Barthes (dëgjimi i subkoshiencës përmes subkoshiencës) apo metoden Maiucetics të Sokratit, për shkak se dua të dal aty ku edhe kjo analizë po merr drejtimin, pra tek zëri që ka transmetuar Vaçe tek dëgjuesit e saj.
Referuar këngës “Valsi i Lumturisë” që është thembra e Akilit për Lubonjën, bazuar në këto teori, zëri që ka transmetuar Vaçe Zela përmes kësaj kënge, është një shprehje e gëzimit, lumturisë dhe kjo ndaj dashurisë që mundej të bëhej në atdheun e saj. Kjo këngë fillon me nota të forta, me një pathos të fuqishëm prej të cilave arrijmë të kuptojmë anën emocionale, gjendjen e brendshme shpirtërore të këngëtares si përfaqësuese apo delegate e qenies njerëzore shqiptare, pra me një melodi, të pasuar me fjalët “la-la-la”.
Në këtë pjesë teksti nuk e ndihmon muzikën, është zëri i këngëtares ai që i merr dëgjuesit nga stoli i tyre ku janë ulur dhe i çon në kozmosin që ajo rrëfen përmes zërit të saj, që e vendos si një urë për të kaluar aty, në universin që ajo predikon për ta. Kënga është e shkruar në La-(minor).
Në këtë tonalitet përgjithësisht janë shkruar vepra e këngë ku shprehet ndjenja sentimentale, dhembshuria, ana emocionale dhe i vetmi ndryshim apo i vetmi element që e “krijoi” këtë zhgënjim për Lubonjën ishte thirrja e kësaj kënge drejt “jetës së re”-gjë që shkonte në mënyrë lineare për kohën, por jo, sipas Lubonjës, me predikimin që ajo “jetë e re” ishte një jetë “false” (sigurisht po e shpreh si e kam kuptuar unë Lubonjën).
Intonacionet dhe intervalet e njëpasnjëshme minore që pasojnë, përfaqësojnë botën e brendshme, liriken dhe dashurinë. Kënga më pas kalon në refren, ku vokalizat dhe fuqizimi i tij bëjnë që kënga të tingëllojë më shumë dritë e të bëhet një himn dashurie, pra refreni është ai që e bën këdo që e dëgjon të çohet peshë dhe të ndjejë se si i depërton në brendësi ajo pjesë subkoshience, ato ëndrra për të qenë pjesë e një universi tjetër.
Dhe këtë e bën të mundur pikërisht zëri i Vaçes. Në periudhën e realizmit socialist, për të shprehur “optimizmin” e jetës së mirë që bënin, krijimet duhet të ishin në tonalitete maxhore (pra të gëzuara) dhe jo minore ( të dhembshura, intime). Pra kemi një nisje me një zë të fortë, me potencialin maksimal të zërit të saj, pastaj një kalim në sotto voce, përmes strofës, për të shprehur ndjenjat, për ta bërë më intime dhe më pas, refreni vazhdon.
Edhe pse mund të duket revolucionar, është brenda kornizës së tij artistike. Pra, sipas këtij shpjegimi dhe duke iu referuar teorisë së Dolar, Barthes & Bodler, që janë shpjeguar më lart repektivisht, ajo çka e bën të mbetet në kujtesë një këngë si “Valsi i Lumturisë” është se Vaçja ka arritur të komunikojë plotësisht jo vetëm përmes koshiencës, por edhe përmes subkoshiencës së çdokujt.
Pra ta çojë dëgjuesin e vet, përmes vibrimit të logosit, përmes zërit që sapo rrëshqiste nga kordat e saj dhe mbetej pjesë e morisë së zërave të të pranishmëve, të triumfonte mbi to dhe t’i çonte aty ku është dimensioni i një kënge që del vërtet prej shpirtit, për të lidhur botën tonë me universin. Misionin e saj si këngëtare, si udhërrëfyese e kozmosit të muzikës ajo e ka kryer.
Shënim: Për partiturën muzikore ndihmoi Ana Kaçinari, me një rishikim të të gjithë tekstit nga Valentin Veizi

Publikuar tek Shekulli: 02.23.2014
http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=41089&kat=92

Nuk ka komente: